Autobusët e Prishtinës pa goma të dimrit, udhëtarët në rrezik

Ani pse në dimër, autobusët e trafikut urbanë nuk ndërrojnë gomat, zyrtarët thonë se kanë goma për dy stinët

Autobusët e “Trafikut Urban” në kryeqytetin e Kosovës nuk janë të pajisur me goma të dimrit.

Ligji ua mundëson që ata të përdorin goma të verës, por kur ka reshje duhet të kenë edhe pajisje tjera.

Ani pse gjatë ditës pati reshje të borës, pos gomave nuk shihen pajisje tjera shtesë. Në mbrëmje, të njëjtit përballen edhe me ngrica në rrugë, raporton T7.

Por, sipas ekspertit të komunikacionit, Visar Baxhukut, pavarësisht mundësisë ligjore, përdorimi i gomave të verës në janar nga transportuesit e udhëtarëve është fakt shqetësues.

Në kompaninë ‘Trafiku Urban’ përmes një përgjigje për T7 thonë se nuk është e nevojshme që të ndërrohen gomat, sepse autobusët posedojnë gomat e njëjta gjatë verës dhe dimrit.

Por, edhe kjo metodë, për njohësin e komunikacionit, Visar Baxhuku, është e pasigurtë.

Kjo për shkak të klimës së ndryshueshme që mbizotëron gjatë një viti në Kosovë.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës për pesë ditë nuk i ka kthyer televizionit përgjigje për këtë çështje.