Komuna duhet të përgjigjet për mbi 50 sulme qenësh në Prishtinë

Mbi 50 raste të sulmeve në njerëz nga qenë endacak janë regjistruar në QKUK sipas raportimeve në media. Në vite të kaluara ka pasur raste edhe të sulmeve me pasoja fatale.

Komuna e Prishtinës çdo vit i ndan rreth 100,000 euro për trajtimin e qenëve endacak. Por sulmet e shpeshta janë dëshmi që masat që po mirren nuk janë të mjaftueshme.

Lagjet më të rrezikuara janë Velania dhe Mati, e gjithsesi sulme më të shpeshta ka në lagjet perifetike. Sipas organizatave dhe aktivistëve që mirren me qenët endacakë në Prishtinë, fondet që janë dedikuar për trajtimin e qenëve nuk po përdoten si duhet, dhe sipas tyre ka bazë për dyshim se qendra e kontraktuar për trajtimin e tyre po merr përsipër vetëm një pjesë të qytetit, madje duke trajtuar të njejtët qenë disa herë, përderisa të tjerë nuk pranohen nga qendra fare.

“Qendra e Harilaqit, si njihet ndryshe qendra e kontraktuar, sipas raporteve në media trajton diku 1300 qenë në vit, përderisa sipas kalkulimeve nga organizatat vetëm në kryeqytet numri i qenëve endacakë duhet të jetë dyfish aq. Duke ndjekur ligjin, dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, qenët endacak shkojnë në procesin e njohur shkurt si KSVL (Kastrim, Sterilizim, Vaksinim, Lirim). Kjo procedurë ndikon në kontrollimin e numrit të qenëve, si dhe në uljen e agresivitetit të tyre. Popullatës së qenëve që kalojnë përmes kësaj procedure u vendosen shenjues në veshë. Sipas metodave moderne, qenëve duhet tu vendosen edhe çipa nën lëkurë për identifikim dhe regjistrim më të mirës.” – thuhet ne reagimin e Levizjes Vetevendosje.

Sipas organizatave të shoqërisë civile, por edhe aktivistëve që trajtojnë popullatat e qenëve endacak në Prishtinë, buxheti i Komunës është i mjaftueshëm për të mbajtur të regjistruar me çip, dhe për të kontrolluar gjithë popullatën e qenëve endacak në kryeqytet, duke ulur ndjeshëm rrezikun e sulmeve në njerëz, por edhe duke trajtuar njerëzisht kafshët.

“Komuna nuk po ndërmerr asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së problemit të madh në kryeqytet me popullatën e qenëve endacak. Lëvizja Vetëvendosje! kërkon që menjëherë të ndërmirren hapa në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi, duke ndjekur këshillat e komunitetit, ekspertëve të vendit dhe ndërkombëtarë. Ekzekutivi i Prishtinës duhet urgjentisht të përfshijë komunitetin në proceset që kanë të bëjnë me qenët endacak në qytet. Duke krijuar mekanizma të veçantë që ndërmarrin masa urgjente në kë të drejtim.” – vazhdon reagimi.

“Lëvizja Vetëvendosje! poashtu kërkon proces gjithëpërfshirës me komunitetin në monitorimin e punës së qendrave dhe veterinarëve të kontraktuar për trajtimin e qenëve endacak. Si dhe masa të menjëhershme dhe konkrete në drejtim të krijimit të strehimoreve adekuate dhe sipas standardeve për këtë qëllim.” – perfundon komunikata.//prishtina24.com